Përplasje e dhunshme mes Ndërtimorëve dhe banorëve të Shëngjinit gjatë aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje.
Aksioni i përbashkët i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar dhe atij vendor të Shëngjinit, është mbështetur edhe nga Policia e Rendit për të shmangur incidente të ndryshme.
Shengjin, kundershtojne ndertimoret, arrestohen babe e bir
Aksioni për prishjen e këtyre objekteve nisi në pjesën fundore të Kunes, duke rrafshuar çdo lloj ndërtimi, të çdo lloj përmase, duke synuar pastrimin e të gjithë zonës. Megjithëse komuna e Shëngjinit u kishte dërguar të gjithë pronarëve njoftime paraprake, të pakët ishin ata që kishin marrë masa për çmontimin e objekteve, të cilat më pas u shkatërruan nga fadromat e Ndërtimorëve.
Në pjesën më të madhe, objektet ishin kioska të vendosura prej shumë vitesh ose rulo, të cilat janë rrafshuar gjatë këtij aksioni. Prishjes nuk i ka shpëtuar asnjë ndërtim, ndërsa u duk që gjithçka po shkonte normalisht. Por, ndodhi e kundërta, kur fadromat e Ndërtimorëve iu afruan objekteve me një ndërtim të rregullt, që kishin zaptuar pjesë të konsiderueshme në brezin e rërës. Pronarë të tyre kanë qëndruar fillimisht brenda, duke mos pranuar të dalin jashtë, me pretendimin se kishin një leje për ndërtimin e kryer dhe se nuk duhej të prekeshin nga fadromat e Ndërtimorëve.
Në situatën e krijuar është tentuar të negociohet nga drejtues të Komisariatit të Lezhës, por pa mundur të arrijnë të bindin pronarët për t’u tërhequr dhe lejuar vazhdimin e prishjeve. Në njërin prej objekteve, goditja e parë e fadromës ka sjellë reagimin e fortë të pronarit Gani Molla dhe të të birit. Pronari dilte në vazhdimësi në dritaren e dhomës ku qëndronte i mbyllur dhe nuk lejonte hapjen e derës. Ndërsa u dha urdhri për vazhdimin e prishjes, Molla është parë me një çifte në dorë, ndërsa policia qëndroi në gatishmëri veprimi, duke izoluar zonën.
Gjatë kësaj kohe, fadromisti vijoi punën me shembjen e objektit që do të prishej, por ndërkohë drejt tij është sulur djali i pronarit të objektit, i cili është vënë menjëherë nën kontroll, duke penguar lëvizjen e tij drejt drejtuesit të fadromës. Në këtë situatë, edhe babai i tij ka dalë nga dhoma me një çifte në dorë, por është neutralizuar nga efektivat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Ai është tërhequr me forcë drejt furgonit të Policisë, ashtu si edhe djali i tij më parë, ndërsa policia ka sekuestruar dy armët e zjarrit që janë gjendur aty. Pasi janë vendosur nën arrest babë e bir, Ndërtimorët kanë vijuar me prishjen totale të objektit. Megjithëse policia ka shmangur tensionin e parë, të krijuar si pasojë e ndërhyrjes së Inspektoratit Ndërtimor për prishjen e ndërtimeve pa leje, frika vijon të jetë prezente, pasi ende nuk është plotësisht në zonën e nxehtë.
Shëngjin, në listë 200 objekte pa leje
Burime pranë INUK kanë bërë të ditur se në të gjithë zonën bregdetare dhe në vetë qytetin e Shëngjinit do të prishen rreth 200 objekte pa leje dhe se nuk do të ketë asnjë hap prapa në këtë iniciativë, për të çliruar plazhin e Shëngjinit nga kioskat e shumta dhe vetë qendrën e qytetit nga izolimet e krijuara nga këto ndërtime pa leje. Pjesa më e madhe e këtyre objekteve ndodhen në brezin e rërës.
Kryekomunari: Plazh pa kioska
Në aksionin e djeshëm ka qenë edhe vetë kreu i komunës Shëngjin, Salvador Kaçaj, i cili ka bërë të ditur se kjo ndërhyrje është vetëm në fazën e parë, ku do të ndërhyhet në të gjitha ndërtimet pa leje. Kaçaj deklaroi se nuk mund të konceptohet një plazh me kioska dhe kashtore, të cilat i kishin prishur imazhin kësaj zone dhe se prej 20 vitesh kishin lulëzuar pa u penguar nga drejtuesit e mëparshëm të komunës. “Është e pafalshme që edhe në brendësi të qytetit gjenden rrugë të bllokuara, lagje pa asnjë dalje dhe rrethime e mure që nuk kanë lidhje me qytetin. Në rast të zjarreve apo të marrjes së ndihmës së shpejtë është e pamundur që të depërtohet në këto lagje si pasojë e bllokimit të rrugëve”, deklaroi Kaçaj. Ai tha se pas fazës së prishjes së ndërtimeve do të vazhdojë investimi për rrugën e Kunes dhe shëtitores kryesore në qendër të qytetit, si dhe pastrimi i mbetjeve inerte. (Panorama / Lezha.eu)